|
Në ditët tona, edhe me përparimet e
mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi përfundimtar i strieve nuk
është i mundur. Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha
mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht në adoleshentët dhe
gratë shtatzana. Tek adoleshentët, striet mund të përmirësohen me
kalimin e kohës.
Fillimi i hershëm i trajtimit (në stadin
e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më të
lartë në raport me stadin e vonshëm të striae alba, ku qoftë mundësitë e
trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet ndjeshëm.
Trajtimet e rekomanduara për dëmtimet e
strieve rubra përshijnë përdorimin e vitaminës C, acideve të frutave,
retinolit dhe substancave të tjera farmakologjike. Edhe përdorimi lokal i
tretinoin është raportuar efektiv, por ai duhet shmangur plotësisht
gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji për shkak të efektit nxitës të
defekteve të lindura tek fëmijët. Edhe retinoidët e tjerë si adapalene
dhe tazarotene janë raportuar efektiv.
Trajtimi me lazer pulsues me energji të
ulët është treguar efektiv në përmirësimin e pamjes së strieve. Trajtime
të shumtë me interval katër deri gjashtë javë janë zakonisht të
nevojshme për të patur efekt. Mendohet se trajtimi me lazer rrit sasinë e
kolagjenit duke përmirësuar ecurinë e strieve rubra, ndërkohë që efekti
mbi striet alba mbetet i dyshimtë. Një studim i kryer së fundi raporton
se gati 90% e pacientëve të trajtuar pati përmirësim “të mirë” ose
“shumë të mirë” dhe gati 60% patën përmirësim të sasisë së kolagjenit
pas trajtimit. Në një tjetër studim, 55% e pacientëve dhe 40% e mjekëve
raportuan rezultate të shkëlqyera të trajtimit. Efektet anësore të
raportuara ishin minimale.
Trajtimi me IPL gjithashtu raportohet i
suksesshëm në trajtimin e strieve. Ky trajtim ka efekte të pakta anësore
dhe duket të veprojë në të njëjtën mënyrë duke përmirësuar prodhimin e
kolagjenit dhe fibrave elastike të indit lidhor.
Në rastin e strieve alba, shumë pak
trajtime tregohen efikase. Lazeri dhe burimet e dritës UVB arrijnë
repigmentim të lëkurës që mbulon striet alba nëpërmjet rritjes së
përmbajtjes se pigmentit melanin, hipertrofisë së melanociteve dhe
rritjes së numrit të tyre.
Në një tjetër studim, përdorimi i
lazerit fraksional demonstroi sukses në përmirësimin e pamjes së strieve
alba 2 muaj pas trajtimit. Studimi tregoi rritje të trashësisë së
epidermës dhe rritje të depozitave të indit kolagjen dhe elastik. Kjo
metodë duket se përmirëson aspektin e strieve alba, sidomos pas
trajtimeve të përsëritura.
|