|
Në ditët tona, edhe me përparimet e
mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi përfundimtar i strieve nuk
është i mundur. Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha
mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht në adoleshentët dhe
gratë shtatzana. Tek adoleshentët, striet mund të përmirësohen me
kalimin e kohës.
Fillimi i hershëm i trajtimit (në
stadin e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më
të lartë në raport me stadin e vonshëm të striae alba, ku qoftë
mundësitë e trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet
ndjeshëm.
Trajtimet e rekomanduara për dëmtimet e
strieve rubra përshijnë përdorimin e vitaminës C, acideve të frutave,
retinolit dhe substancave të tjera farmakologjike. Edhe përdorimi lokal
i tretinoin është raportuar efektiv, por ai duhet shmangur plotësisht
gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji për shkak të efektit nxitës të
defekteve të lindura tek fëmijët. Edhe retinoidët e tjerë si adapalene
dhe tazarotene janë raportuar efektiv.
Trajtimi me retinoidë lokalë është
treguar efikas në rimodelimin e vragave hipertrofike dhe në
përmirësimin e pamjes klinike të strieve. Përmirësimi përfshin cilësinë
e lëkurës, eliminimin e rrudhave të lehta dhe flashkësisë pas një
terapie që zgjat nga 3 deri 6 muaj. Konkretisht, tretinoin i aplikuar
lokalisht është një mundësi trajtimi. Mekanizmi i veprimit mendohet të
jetë nëpërmjet stimulimit të fibroblasteve dhe efekti është maksimal në
striet e hershme. Trajtimi konsiston në rritjen graduale të sasisë së
aplikuar deri sa konstatohet shfaqja e skuqjeve dhe eksfoliacionit të
lëkurës. Mund të shoqërohet me emolientë për të shmangur irritimin.
Si përfundim, mund të thuhet se
adoleshenët me kalimin e kohës mund të presin një përmirësim të gjendjes
së strieve. Trajtimet me tretinoin, dhe lazer kanë efekt në trajtimin e
strieve të hershme aktive.
|