Kërkuesit kanë hedhur dritë mbi shumë sekrete të seksualitetit femëror, duke arritur në përfundimin se
nuk ka të bëjë vetëm me anën psikike të saj. Rëndësi të dorës së parë kanë edhe sjelljet biologjike, për
të cilat më parë dihej fare pak. Si përfundim, ilaçet e reja, të efektshme për mashkullin, janë po aq të
vlefshme edhe për femrën. Ndërkohë që në botë vazhdojnë të shiten me qindra milionë tableta Viagra
për gruan vazhdojnë ende të kryhen studime e eksperimente - kjo sepse nga çrregullimet seksuale
vuan pothuajse gjysma e universit femëror. Seksologë, gjinekologë, endokrinologë janë dakord që nuk
ishte vetëm gruaja ajo, që duhej t'i nënshtrohej kurimit, por vetë çifti. Të gjitha specialitetet mjekësore
(nga andrologu deri tek seksologu dhe sociologu) po shkojnë drejt një "tjetërsimi" të ri të kërkimit dhe
praktikës mjekësore, duke ndihmuar edhe në realizimin e një ripërtëritjeje të "cilësisë së marrëdhënies
njerëzore në përgjithësi dhe asaj seksuale në veçanti", shprehet një specialist i kësaj fushe.
Por, a do të arrijmë t'i zbulojmë sekretet e seksualitetit femëror? Një gjë është e sigurt: fijet, që duhen
çmbështjellë për të hedhur dritë mbi tërësinë e përgjigjes seksuale të gruas janë të shumta. Më parë
gjithçka i vishej psikikës, pra vetëm sferës së shpirtit femëror në kuadrin dashuror. Por gjatë viteve të
fundit kërkuesit filluan të hetojnë mbi trupin e gruas, mbi mekanizmat dhe vendet e kënaqësisë së saj.
Anatomia e klitoridit u bë e njohur në vitin 1998 nga austrialiania O'Konell, ndërsa një kërkim i
Xhaninit nxorri në pah se pika G ekziston dhe funksionon me të njëjtat mekanizma, që çojnë në
kënaqësinë mashkullore. Enzima, që modulon ereksionin, fosfodiesteraza 5, është e pranishme edhe
në atë zonë të vaginës ku Grafemberg, në vitet '50, identifikoi pikën G (shkronja e parë e mbiemrit të
tij), e cila në rast se nxitej, shkaktonte orgazmën vaginale. Kërkimi i Xhaninit i hap rrugën përdorimit
të molekulave si sildenafili ose tadalafili (pilula e re e verdhë për mashkullin), të cilat veprojnë mbi
fosfodiesterazën me kohëzgjatje 24 orë. "Nuk duhet quajtur pika G", thotë Xhanini. "Më mirë prostata
femërore", ashtu siç e ka përcaktuar organizata botërore e cila merret me nomenklaturën anatomike.
Një mbetje embrionale, një organ i seksit tjetër, që mund të jetë i pranishëm në dimensione të
ndryshme tek gratë". Për të qenë të sigurtë nëse është vërtet prostatë, ekipi i Xhaninit po përdor një
marker, antigenin prostatik specifik, i cili ka dhënë përfundime pozitive. "Por jo të gjitha gratë e kanë
pikën G dhe për këtë ato nuk duhet të hidhërohen", saktëson seksologu. "Mosmarrëveshja orgazëm
vaginale apo klitorid mund të zgjidhet kështu: çdo grua ka vendet e saj të kënaqësisë". Ndërkohë,
megjithë dështimin e eksperimentit të parë masiv të Viagrës së kuqe, aktualisht janë duke mbërritur
lajme të mira. Do të përfitojnë si gratë pa probleme të sferës seksuale, ashtu edhe ato me çrregullime
të eksitimit seksual në post- menopauzë ose me histerektomi.
Ky kërkim i fundit thekson përmirësimet në lubrifikimin vaginal dhe në arritjen e orgazmës. Edhe
prostaglandina Pge1 krem, ka dhënë rezultate të mira, megjithëse është duke iu nënshtruar ende fazës
eksperimentuese. "Të dhënat që kemi në dispozicion në lidhje me ilaçet për gratë janë më të pakta se
ato të dokumentuara për burrat", vëren një specialist i Qendrës së Gjinekologjisë dhe Seksologjisë
Mjekësore në Milano. "Vetëm në vitin1998, në Konferencën Ndërkombëtare për klasifikimin e
çrregullimeve seksuale femërore u përfshinë shkaet biologjike në diagnozën e çrregullimeve të grave.
Por tani, duke kopjuar mashkullin, ekziston rreziku i përqendrimit të vëmendjes tek organet gjenitale
dhe tek gjithçka, që nuk funksionon në nivel biologjik. Në fakt, gjithnjë me ndihmën e të dhënave dhe
shenjave, një diagnozë e saktë do të nënkuptonte përcaktimin e elementit, që ka më shumë peshë. Dhe
në këtë sferë luan një rol të rëndësishëm edhe natyra e marrëdhënies. Kjo pasi hyjnë në lojë edhe
nxitësit e ndryshëm, që aktivizohen, si për shembull, ai i dëgjimit. Shumë çifte praktikojnë një seks të
heshtur, pa fjalë dashurie. Ata nuk preken, nuk përkëdhelen dhe puthen fare pak".
Por shumë kërkues janë të mendimit se jo gjithçka mund të përmblidhet tek një hapje mrekullibërëse.
"Së pari, duhet të kërkohen shkaqet organike të një çrregullimi: faktorët hormonalë, të enëve të gjakut,
muskulore dhe të sistemit nervor, ndërkohë që gratë priren drejt ndjenjës së fajit, lodhjes dhe stresit.
Më pas vjen edhe mirëqënia mendore, e cila ka rëndësinë e saj. Nuk duhet të harrojmë të shtojmë në
këtë kontekst se edhe humori i mirë varet nga hormonet", vëren një specialist. "E dhëna më
interesante e kërkimeve ka të bëjë me rolin e hormoneve mashkullore, që luajnë rol të rëndësishëm në
përgjigjen seksuale femërore. Nga ata varet epshi, nxitja dhe marrja e iniciativës nga ana e saj".
Për të gjallëruar seksualitetin femëror, janë duke mbërritur kremra, sprajt dhe pilula. Të gjitha këto
produkte vijnë në emër të një gruaje gjithësesi kontradiktore. Një grua, e cila ndoshta kërkon edhe për
vete pilulën e kënaqësisë, "por kur partneri turret tek Viagra, ajo tkurret dhe mendon: nuk më dëshiron
dhe nuk më do më. Nuk bën asgjë për të ndryshuar gjendjen dhe nuk ka dyshim që kërkon të ndahet
prej meje", shprehet një studiuese seksologe. "Gratë janë të mendimit se ereksioni i arritur me ilaç nuk
vlen sa ai i ardhur në mënyrë spontane".
Në fund të fundit, ato kërkojnë me çdo kusht që t'i venë notën formës së partnerit. Kjo sikur ereksioni
të ishte mundësia e vetme për një seksualitet ekspresiv, i cili gjithësesi merr ngjyrimet e një
paragjykimi: nëse nuk ka bashkim seksual, nuk ka asgjë. "Vuajnë ende nga analfabetizmi erotik",
përfundon një eksperte. "Nuk do të mjaftojë as pilula e ereksionit dhe as ajo e orgazmës. Çiftet duhet
të mësohen të bëjnë llogaritë me praninë e ilaçit mes tyre. Një prani ndoshta e vlefshme, por që
gjithësesi nuk duhet tepruar me të. Sepse seksualiteti është shumë më tepër se një molekulë: është një
alkimi, në të cilën biologjia dhe psikika janë të gërshetuara.
|
|