header image
Home arrow Blog arrow 
Blog - Content Section Layout
KODI I ETIKES DHE DEONTOLOGJISE MJEKESORE
KODI I ETIKES
DHE
DEONTOLOGJISE MJEKESORE

KREU I PARE
PARIME KRYESORE

Neni 1 - Percaktimi

Deontologjia mjekësore është një bashkësi principesh dhe rregullash që mjeku( ) duhet t'i respektojë gjatë ushtrimit të profesionit. Sjellja e mjekut, qoftë edhe jashtë kohës së ushtrimit të profesionit, duhet të jetë shembullore në përputhje me dinjitetin që kërkon ky profesion.
Mjekët janë të detyruar të njohin principet dhe rregullat që përmbahen në këtë Kod.

Neni 2 - Njohja e Urdhërit të Mjekëve

Mjeku duhet të njohë Urdhërin e Mjekëve si një ent publik, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të profesioneve mjekësore dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut.

Neni 3 - Njohja e Kodit Deontologjik dhe Betimi i Mjekut

Çdo mjek kur regjistrohet në Urdhërin e Mjekëve duhet të ketë njohuri të plota të Kodit Deontologjik dhe njëkohësisht bën betimin me gojë ose e jep me shkrim, duke u zotuar se do ta respektojë atë me përpikmëri.

Neni 4 - Detyrat dhe misioni i mjekut

Detyra themelore eshtë mbrojtja e jetës dhe e shëndetit fizik e psiqik të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve. Në misionin e tij human për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku bazohet në shkencë dhe në ndërgjegjen e tij

Neni 5 - Ndihma mjekësore

Mjeku duhet të ofrojë ndihmë mjekësore të njëjtë për të gjithë, pa dallim moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozite shoqërore etj, duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi. Në rast lufte apo katastrofash ai duhet të angazhohet menjëherë për të ofruar ndihmën e tij, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente.

Neni 6 - Respektimi i traditës

Mjeku duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të respektuar dhe mbrojtur traditat më të vyera të profesionit mjekësor, duke praktikuar vazhdimisht një standard të lartë profesional dhe një sjellje etike të përshtatshme ndaj të sëmurit, familjarëve dhe ndaj çdo personi tjetër që i kërkon ndihmë.

Neni 7 - Kufizime të aktivitetit profesional

Mjeku në asnjë rast nuk duhet të abuzojë me kushtet që i krijon profesioni. Mjeku nuk duhet të përdorë postin për qëllime përfitimi personal dhe profesional .

Neni 8 - Ndihma në raste urgjente

Mjeku, pavarësisht nga specialiteti që ka, nuk duhet të refuzojë për të ndërhyrë në çdo vend e rrethanë për të dhënë ndihmën urgjente për çdo njeri që ka nevojë, duke kërkuar dhe asistencën e specializuar.

Neni 9 - Marrëdhëniet me kolegët dhe personelin

Gjatë punës së tij, mjeku duhet të bëjë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit mjekësor dhe të ketë marrëdhënie korrekte me kolegët dhe personelin tjetër mjekësor.

Neni 10 - Përdorimi i njohurive

Mjeku duhet të përdorë njohuritë dhe aftësitë e tij, duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale.

Neni 11 - Detyrimet profesionale

Mjeku ka për detyrë azhornimin me të rejat e shkencës, pjesëmarrjen në aktivitete kualifikuese për ngritjen e tij profesionale. Ai duhet të bëjë vlerësimin e drejtë të gjëndjes së pacientit duke u bazuar në anamnezë, shënja klinike dhe ekzaminimet e duhura. Në rast nevoje dhe kur është e mundshme, duhet të konsultohet me specialistët jashtë ose brenda specialitetit të tij dhe të zbatojë urdhërat e konsultës.
Ai duhet të ndihmojë publikun për të kuptuar çështjet shëndetësore dhe të kontribuojë në edukimin dhe trajnimin e mjekëve të tjerë.

KREU I DYTE
DETYRAT E MJEKUT NDAJ TE SEMURIT

Neni 12 - Marrëdhëniet me të sëmurin

Mjeku duhet të kujdeset për ruajtjen e mirëqënies së të sëmurit dhe të interesave shendetësore të tij. Marrëdhëniet midis tyre duhet të mbështeten në mirëbesimin e ndërsjelltë. Zgjedhja e lirë e mjekut dhe e institucionit të mjekimit nga i sëmuri, përbën parimin themelor të këtyre marrëdhënieve.

Neni 13 - Kompetenca profesionale

Mjeku duhet t'i garantojë të sëmurit përkushtim dhe kompetencë profesionale. Ai duhet të përballojë problemet diagnostike e mjekuese, duke i dedikuar të sëmurit kohën e nevojshme.
Ai duhet të kryejë punën e tij pa mangësi profesionale dhe etike, pa abuzuar mbi të sëmurin nga ana fizike, emocionale ose materiale. Shkeljet në këtë drejtim, sipas shkallës së rëndësisë dënohen sipas dispozitave të Ligjit Nr.6815 date 1.06.2000 dhe Statutit te Urdhërit të Mjekëve.

Neni 14 - Miratimi i trajtimit nga i sëmuri

Mjeku duhet të respektojë të drejtën e të sëmurit që, me vullnet të lirë, të pranojë ose të refuzojë trajtimin dhe llojin e ndihmës mjekësore të rekomanduar. Në qoftë se i sëmuri është i paaftë të japë pëlqimin dhe përfaqësuesi i tij nuk është i pranishëm, në situata mjekësore urgjente, mjeku vepron nën përgjëgjësinë e tij në të mirën më të mundshme për të sëmurin.

Neni 15 - Detyrat ndaj fëmijëve, pleqve dhe handikapatëve.

Në ushtrimin e profesionit të tij mjeku duhet të angazhohet në kujdesin për fëmijët, pleqtë dhe handikapatët, sidomos kur vëren se ambjenti familjar ose jashtëfamiljar ku jetojnë ata, nuk kujdesen në mënyrë të mjaftueshme për shëndetin e tyre.
Mjeku që thërritet për të trajtuar një fëmijë ose të mitur, duhet të përpiqet të marrë pëlqimin e prindërve, të të afërmve apo të përfaqësuesve të tij ligjorë. Bëhet përjashtim kur rasti eshtë urgjent dhe mjeku nuk e ka të mundur të komunikojë me ta.
Në rast dyshimi për abuzim ose keqtrajtim të fëmijës, mjeku është i detyruar të lajmërojë organet përkatëse të njohura me ligj.

Neni 16 - Informimi i të sëmurit

Mjeku duhet të informojë të sëmurin për ecurinë e ekzaminimeve dhe të llojit të mjekimit, të japë parashikime duke i bërë të ditur të sëmurit të mirat dhe të këqiat, për të marrë së bashku vendimin më të drejtë të trajtimit më të mirë.
Në rast se i sëmuri është nën moshë për të gjykuar në mënyrë të pavarur ose i paaftë mendërisht, mjeku është i detyruar të marrë vendimin e familjes ose kujdestarit dhe kur kjo është e pamundur, të veprohet nën përgjëgjësinë e konsultës mjekësore.

Neni 17 - E drejta e të sëmurit të informohet për rezultatet

I sëmuri ka të drejtë të dijë të vërtetën mbi sëmundjen e tij dhe të njihet me të gjitha rezultatet e analizave dhe dokumentat e tjera mjekësore. Megjithatë, nëse mjeku e gjykon që kjo vënie në dijeni dëmton shëndetin e të sëmurit, atëhere ai nuk është i detyruar t'a informojë atë për të vërtetën apo t'i tregojë dokumentacionin mjekësor.

Neni 18 - Informimi i familjarëve

Eshtë detyrë morale e mjekut të tregojë mirëkuptim dhe bashkëshqetësim me familjarët e të sëmurit dhe t'i mbajë ata në dijeni për ecurinë e gjendjes së të sëmurit. Ky bashkëpunim është në të mirën e të sëmurit.

Neni 19 - Proçedurat diagnostikuese e mjekuese.

Mjeku duhet të propozojë dhe të kryejë ndaj të sëmurit, vetëm ato proçedura diagnostike që janë të nevojshme për diagnozën më të besueshme dhe vetëm atë mjekim që është në pajtim me standarde të provuara të shkencës mjekësore bashkëkohore.
Në mjekimin e të sëmurit, mjeku duhet të jetë sa më racional në shpenzimet ekonomike, në përputhje me praktikën e zakonshme mjekësore.
Proçedurat ekzaminuese e mjekuese të panevojshme janë të palejueshme, pavarësisht se kush do t'i mbulojë shpenzimet e kurimit të të sëmurit.

Neni 20 - Mos përzierja në çështjet familjare

Mjeku nuk duhet të përzihet me probleme personale ose familjare të të sëmurit dhe as të përpiqet për të ndikuar tek ai, me përjashtim kur kjo kërkohet nga lloji i trajtimit mjekësor.

Neni 21 - Ruajtja e sekretit

Të dhënat që mjeku mëson gjatë kryerjes së detyrës, konsiderohen si të fshehta mjekësore. Me dëshirën e të sëmurit, mjeku është i detyruar të mbajë të fshehtën edhe ndaj familjarëve e personave të tjerë, madje edhe pas vdekjes të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve.

Neni 22 - Zbulimi i sekretit

Mjeku ka të drejtë të zbulojë të fshehtat mjekësore të të sëmurit, në rastet kur fshehja e tyre rrezikon jetën e të sëmurit ose kur kërkohet nga një organ i njohur me ligj.
Kur mjeku i përdor të dhënat mjekësore rreth një të sëmuri për t'i publikuar, ai është i detyruar që identiteti i të sëmurit të mos zbulohet.

Neni 23 - Përfitimi i të drejtave

Mjeku duhet të përpiqet që i sëmuri i tij të përfitojë të gjitha të drejtat shoqërore ose materiale që i takojnë me ligj.
Çdo abuzim, mashtrim ose fallsifikim i dokumentave mjekësore dënohet sipas ligjit.

Neni 24 - Vazhdimësia e mjekimit

Kur mjeku do të mungojë për një periudhë të caktuar, ai është i detyruar të sigurojë vazhdimësinë e trajtimit mjekësor për të sëmurin e tij, duke ia përcjellë atë një mjeku tjetër.
Kur mjeku e gjykon se kushtet për një trajtim siç duhet të gjendjes së të sëmurit dalin jashtë aftësive dhe njohurive profesionale të tij, atëherë duhet të marrë masat që i sëmuri të kalojë për kurim te një mjek tjetër, i aftë për të marrë përsipër këtë trajtim. Rekomandimi për kolegun ose për kolegët duhet të jetë i ndershëm, i justifikueshëm dhe i dokumentuar.

Neni 25 - Ndërrimi i mjekut kurues

SNë rast se i sëmuri, i mirëinformuar për sëmundjen dhe i aftë të marrë vendime të pavarura, e humb besimin te mjeku, ky i fundit lejohet të heqë dorë nga vazhdimi i kurimit dhe të rekomandojë trajtimin mjekësor te një mjek tjetër ose institucion mjekësor. Ky veprim kryhet edhe në rastet kur i sëmuri, në mënyrë të ndërgjegjshme, sillet në mënyrë të pahijshme, bëhet brutal dhe kërcënues, me përjashtim kur për momentin gjendja e të sëmurit është rrezikuar nga sëmundja dhe mjeku është i detyruar ta ndihmojë.

Neni 26 - Ndihma mjekësore për të dënuarit

Mjeku që thirret ose që punon për një institucion ku të pandehurit ose të dënuarit vuajnë masën e dënimit, duhet jo vetëm të ofrojë ndihmë mjekësore, por edhe të mbrojë të drejtat e dinjitetin e të dënuarit të sëmurë dhe, nëse ai është dhunuar fizikisht ose psikologjikisht, duhet të vërë në dijeni organet e njohura me ligj.

Neni 27 - Mjekimi dhe ushqyerja e detyruar për të dënuarin

Mjekimi dhe ushqimi i detyruar lejohet vetëm në rastet kur i dënuari i sëmurë nuk është ndërgjegjësisht i aftë të vendosë vetë. Në qoftë se një i rritur, mendërisht i shëndoshë, refuzon ushqimin, kjo duhet respektuar nga mjeku.
Mjeku e ka të ndaluar kategorikisht të marrë pjesë në dhunën ose torturat kundër të pandehurit.

Neni 28 - Dokumentimi i veprimeve

Të gjitha veprimet diagnostikuese e mjekuese që mjeku kryen ndaj të sëmurit, duhet të përshkruhen (regjistrohen) në dokumentat përkatëse mjekësore ( kartelë klinike, regjistri i vizitave, receta, epikriza, raporte etj.) që janë akte zyrtare administrative, ligjore e shkencore.
Çdo abuzim, mashtrim ose fallsifikim i tyre është i dënueshëm me ligj.

Neni 29 - Dhënia e dokumentave mjekësore

Mjeku me kërksë të të sëmurit, familjarëve ose të organeve të njohura me ligj, lëshon ose firmos çertifikata, epikriza, vërtetime e dokumenta të tjera, vetëm kur është i sigurt se ato janë të vërteta. Këto dokumenta shkruhen në gjuhën shqipe, por sipas nevojës edhe në gjuhë të huaj .

Neni 30 - Ankesat e të sëmurëve

Në qoftë se të sëmurët kanë ankesa lidhur me kujdesin apo mjekimin, atyre duhet t'u jepet një përgjigje e menjëhershme dhe e përshtatshme. Mjeku kurues ka përgjegjësi profesionale për tu marrë me ankesat në mënyrë konstruktive dhe të ndershme. Në rast se gjatë mjekimit, pacienti ka pësuar dëmtime serioze, pavarësisht nga arsyeja, duhet t'i shpjegohet plotësisht se çfarë ka ndodhur dhe mundësisht t'i kërkohet të falur atij, ose, kur është nën 16 vjeç, familjarëve të tij.

Neni 31 - Lehtësimi i vuajtjeve të të sëmurit që është duke vdekur

Lehtësimi i vuajtjeve dhe dhimbjes është një nga detyrat kryesore të mjekut. Kjo është vençanërisht e rëndësishme gjatë trajtimit të një sëmuri që është duke vdekur. Mjeku pavarësisht nga mjekimi duhet të përpiqet të ofrojë përkujdesje shpirtërore, gjithmonë duke respektuar dëshirat dhe besimin fetar të të sëmurit. Në të njëjtën kohë mjeku duhet të vërë në dijeni familjarët dhe miqtë e të sëmurit mbi gjendjen e tij dhe të përpiqet të gjejë bashkëpunimin e tyre në lehtësimin e vuajtjeve të të sëmurit.

Neni 32 - Mos shpejtimi i vdekjes

Shpejtimi i përfundimit të jetës apo provokimi i vdekjes është në kundërshtim me etikën mjekësore. Nëse i sëmuri është pa vetëdije, pa shpresë për të jetuar, mjeku duhet të veprojë sipas gjykimit të tij personal për më të mirën, në përputhje me bindjen e tij profesionale dhe morale.

Neni 33 - Vdekja e të sëmurit

Kur vdes një i sëmurë, mjeku kurues duhet t'iu shpjegojë familjarëve arsyet dhe rrethanat e vdekjes. Ata duhet të informohen me të gjitha hollësitë.

KREU I TRETE
MARREDHENIET MIDIS MJEKEVE, NDAJ PROFESIONIT DHE
INSTITUCIONEVE

Neni 34 - Respekti reciprok

Marrëdheniet midis mjekëve duhet të bazohen në principet e respektit reciprok. Mjeku duhet të sillet ndaj kolegëve të tij me ndershmëri, ashtu siç ai do të dëshironte që ata të silleshin ndaj tij. Mjeku nuk duhet të përgojojë kolegët e tij dhe të bëjë që pacienti të dyshojë për njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Neni 35 - Respekti ndaj mësuesve

Mjeku duhet të tregojë respekt dhe mirësjellje ndaj mësuesve të tij për dijenite, aftësitë profesionale dhe mjeshtërinë që ka fituar nga ata.

Neni 36 - Solidariteti ndaj kolegëve

Në qoftë se një mjeku i kërkohet një këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t'i japë ato me sinqeritet dhe në përputhje me njohuritë më të mira. Ai duhet të jetë solidar me kolegë që iu nënshtrohen akuzave të pa drejta.

Neni 37 -Qëndrimi ndaj sjelljes jo korrekte të kolegëve.

Në rast se mjeku vihet në dijeni të një sjellje të papërgjegjshme të kolegut, që mund të ketë lidhje me ndonjë parregullsi etike ose mjekësore, ai nuk duhet t'i diskutojë ato me pacientin, me familjarët ose kolegët e tjerë, por t'i diskutojë me autoritetet përkatëse të Urdhërit të Mjekëve.

Neni 38 - Gabimet e bashkëpunëtorëve

Mjeku është i detyruar të vërë në dukje gabimet që mund të bëhen nga bashkëpunëtorët ose personeli tjeter ndihmës, duke i trajtuar ato me takt, pa cënuar dinjitetin e asnjërit dhe asnjëherë përpara të sëmurit, familjarëve apo miqve të tyre.

Neni 39 - Raportet me mjekun kurues

Mjeku mund të marrë në trajtim mjekësor një të sëmurë nga një mjek tjetër, vetëm me kërkesë të këtij mjeku, ose kur kërkohet nga vetë pacienti. Në këtë rast duhet të informojë mjekun kurues për rekomandimet diagnostikuese e kuruese dhe vlerësimin klinik që ka bërë.

Neni 40 - Rritja e aftësive dhe autoritetit profesional

Për të rritur autoritetin profesional është detyrë e mjekut që vazhdimisht të studiojë dhe të ndjekë zhvillimet më të reja të profesionit të tij, në mënyrë që t'iu ofrojë te sëmurëve një trajtim mjekësor të shkallës më të lartë.

Neni 41 - Reputacioni profesional dhe figura morale

Mjeku duhet të ruajë reputacionin dhe pavarësinë profesionale dhe të mos lejojë që emri i tij të përdoret në propagandën tregëtare për fitime personale. Ai duhet të mënjanojë fitimin e pamerituar dhe fryrjen e famës së tij nga vetëmburrjet.
Mjeku duhet të ruajë të pastër figurën morale duke qëndruar larg aktiviteteve që e zhvleftësojnë personalitetin e tij (alkooli, droga, veset e tjera të papajtueshme me moralin).

KREU I KATERT
QENDRIMI I MJEKUT NDAJ RIPRODHIMIT HUMAN, EKSPERIMENTEVE
KLINIKE E KERKIMEVE BIO-MJEKESORE DHE TRANSPLATIMEVE TE
INDEVE E ORGANEVE

Neni 42 - Informimi për çështjet seksuale

Në planifikimin familjar, mjeku kryesisht duhet të mbrojë metodat edukative e natyrale dhe pastaj pas kësaj ato artificiale në përputhje me njohuritë mjekësore dhe pikëpamjet morale. Ai është i detyruar të vërë në dijeni bashkëshortët lidhur me pasojat dhe dëmin e preparateve kontraceptivë të veçantë.

Neni 43 - Kujdesi për shëndetin seksual

Mjeku duhet të kujdeset për shëndetin seksual të të sëmurit duke nënkuptuar përmisimin e jetës dhe marrëdhënieve personale, këshillimin dhe ndihmën mjekësore për një zhvillim të shëndetshëm seksual, kujdesin për riprodhimin dhe për sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Neni 44 - Ndërprerja e shtatëzanisë

Mjekut i ndalohet të bëjë ndërprerje të shtatëzanisë dhe të kryejë sterilizime, perveç rasteve të parashikuara me akte ligjore dhe indikimeve mjekësore.

Neni 45 - Aplikimi i metodave të riprodhimit të ndihmuar

Në trajtimin e pamundësisë bashkëshortore për të lindur fëmijë, mjeku duhet të dijë që aplikimi i metodave të riprodhimit të ndihmuar, duke përfshirë edhe fertilizimin in vitro, e bën të nevojshme të kuptuarit e njohurive bazë të këtyre metodave nga të dy partnerët. Eshtë detyrë e mjekut të njihet me zhvillimet etike të llojit e metodave në përputhje me konceptet e pranuara botërisht dhe të njohura me ligj.
Abuzimi me embrionet humane për qëllime kërkimore është jo etik, i papranueshëm dhe i dënueshëm penalisht.

Neni 46 - Pjesëmarrja në kërkime shkencore

Mjeku që merr përsipër një punë kërkimore me qëllim parandalues, diagnostikues dhe mjekues, duhet të paraqesë planin e punës kërkimore përpara një komisioni përkatës kompetent e të pavarur, për të vlerësuar në lidhje me përligjien shkencore dhe pranueshmërinë etike. Ai duhet me kujdes të vërë në dijeni personat e përfshirë në kërkim mbi objektin e punës kërkimore, duke parashikuar të mirat dhe dëmet e mundshme dhe duhet të kërkojë pëlqimin e tyre. Në qoftë se marrja e pëlqimit është e pamundur nga gjendja e personit, kjo mund të kërkohet edhe nga të afërmit.
Personit të përfshirë ne kërkim duhet t'i bëhet e qartë e drejta që ka ai për mundësinë e ndërprerjes së kërkimit. Një mjekim i krahasuar me placebo, mund të përdoret vetëm atëherë kur, sipas të dhënave shkencore, i sëmuri mund të përfitojë dhe efektet e dëmshme janë të përjashtuara me siguri.

Neni 47 - Aplikimi i metodave të reja

Aplikimi i metodave të reja diagnostikuese, mjekuese dhe parandaluese, janë të lejuara vetëm pas miratimit të projektit, shqyrtimit klinik nga një komision i pavarur e kompetent. Adoptimi, kryerja dhe nxitja e metodave të pa vërtetuara në mënyrë shkencore, duke shkaktuar shpresa fallco te të sëmurët dhe familjarët, përbën një dhunim të etikës mjekësore.

Neni 48 - Raportimi i rezultateve

Rezultatet e arritura duhet të raportohen nga mjeku kërkues në përputhje me rregullat e raporteve shkencore gjatë një mbledhjeje specialistësh dhe vetëm mbasi të jetë marrë mendimi profesional, mund t'i bëhen të njohura publikut të gjerë.

Neni 49 - Kërkimet për trashgiminë

Kërkimet shkencore në fushën e shëndetit dhe të trashëgimisë, duke përdorur teknologjitë përkatëse në materialet gjenetike të qënieve njerëzore, janë të pranueshme për qëllime diagnostike (diagnoza prenatale in vitro ose in utero të sëmundjeve gjenetike, pa dëmtuar embrionin ose nënën), për qëllime të industrisë farmaceutike me interes klinik (prodhimi i medikamenteve, hormoneve, vaksinave, etj), për qëllime shkencore në 10 studimin e sekuencave të ADN-së në gjenomat njerëzore për trajtimin e defekteve kromozomike.

Neni 50 - Transplatimi i indeve dhe organeve nga të vdekur

Në rastin e vdekjes cerebrale, të vërtetuar profesionalisht në mënyrë të sigurtë, brenda kuadrit ligjor te ligjit Nr. 8193 datë 6.02.1997 "Mbi transplantin e organeve" , mjeku mund të mbajë organe, pjesë trupi ose inde, të cilat mund të përdoren për kurimin e të sëmurëve të tjerë. Në këtë procedurë nuk lejohet të marrë pjesë mjeku që përcakton vdekjen cerebrale.

Neni 51 - Transplatimi i indeve dhe organeve nga të gjallët

Marrja e indeve ose organeve nga një dhurues i gjallë, i rritur dhe mendërisht i aftë, kryhet vetëm atëherë kur ai jep pëlqimin në mënyrë të lirshme dhe me shkrim, mbasi më parë t'i jenë bërë të ditura pasojat e mundshme. Eshtë e papranueshme marrja e një organi kur një veprim i tillë rrezikon jetën e dhuruesit.

KREU I PESTE
KUSHTET E USHTRIMIT TE PROFESIONIT

Neni 52 -Sigurimi i mjedisit të punës

Në ushtrimin e profesionit, mjeku duhet të ketë një mjedis të përshtatshëm dhe mjetet e nevojshme teknike.
Në ushtrimin e profesionit privat, mjeku duhet të ketë vetëm një kabinet. Mbajtja e një të dyti mund të bëhet vetëm me autorizim të Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve.

Neni 53 - Mos shfrytëzimi i funksioneve administrative

Mjeku që kryen funksione administrative ose është i zgjedhur në detyra publike, e ka të ndaluar të shfrytëzojë postin për të rritur numrin e klientelës dhe për përfitime të tjera.

Neni 54 - Pranimi i dhuratave dhe financimeve

Mjeku nuk duhet të pranojë dhurata materiale apo borxhe nga kompani, firma apo persona që tregtojnë medikamente dhe materiale të tjera. Përjashtohen financimet për konferenca, seminare e kongrese, ku qëllimi është për kualifikim profesional.

Neni 55 - Atestimi

Në fletë recetat dhe dokumentat që lëshon, mjekut i lejohet të shkruajë
- Emër, mbiemër, adresë, numër telefoni dhe orën e konsultave.
- Kualifikimin dhe specializimin.
- Titujt dhe funksionet e njohura nga Urdhëri i Mjekëve.
- Titujt honorifikë të njohura nga Republika e Shqipërisë.

Neni 56 - Përmbajtja e pllakës së kabinetit

Në tabelën që vendoset në hyrje të kabinetit, mjeku shkruan emrin, mbiemrin, titujt e specializimet e njohura dhe orarin e konsultave.
Kur mjeku është titullar i një diplome të huaj, atëherë duhet të specifikohet vendi dhe Universiteti që ka lëshuar diplomën ose çertifikatën që autorizon të ushtrojë këtë profesion.

Neni 57 - Kontrata e punës

Ushtrimi i mjekësisë në çdo formë, qoftë pranë një institucioni privat ose publik, bëhet me kontratë me shkrim, ku përcaktohen detyrimet përkatëse të palëve. Çdo projekt kontrate i komunikohet Urdhërit të Mjekëve, i cili mund të bëjë vërejtje brenda një muaji.

Neni 58 - Punësimi i kolegëve

Mjekut që ka hapur një kabinet i lejohet të punësojë për llogari të tij mjekë të tjerë sipas rregullave të liçensimit.

Neni 59 - Honoraret

Pagesa e honorareve kryhet ose drejtpërdrejtë nga i sëmuri, ose nga një administratë apo një organizëm i caktuar. Mjeku duhet të japë shpjegime mbi honoraret ose koston e trajtimit. Ndalohet parapagimi i të gjithë trajtimit që mund të shkojë në disa seanca. Kur për një ekzaminim ose trajtim kontribojnë disa mjekë, honoraret duhet të jenë të veçanta e personale.

Neni 60 - Bashkimi i mjekëve

Çdo bashkim ose grupim mjekësh duhet të bëhet në bazë të një kontrate të shkruar, që respekton pavarësinë e secilit.
Kontratat miratohen nga Këshilli Rajonal i Urdhërit të Mjekëve.
Çdo marrëveshje ose kontratë grupimi, me qëllim profesional midis mjekëve nga njëra anë dhe punonjësve të tjerë si infermierë, kimistë, etj. i dërgohet Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve, i cili duhet të shqyrtohet nga Këshilli Rajonal brenda një muaji.

Neni 61 - E drejta për grevë

Mjeku ka të drejtë kushtetuese për grevë. Por, mjeku, duke vepruar sipas shkencës dhe ndërgjegjes, ka për detyrë të garantojë shërbimin e ndihmës urgjente dhe të domosdoshme për të sëmurët.

KREU I GJASHTE
DISPOZITA PERFUNDIMTARE

Neni 62 - Respektimi i Kodit.

Eshtë detyrë e të gjithë mjekëve, të regjistruar në Urdhërin e Mjekëve, të respektojnë nenet e këtij Kodi.

Neni 63 - Masat disiplinore

Mosnjohja e neneve të këtij Kodi nuk e përjashton mjekun nga përgjegjësia që vjen nga moszbatimi i detyrave etike e deontologjike të përshkruara në këtë Kod.
Masat disiplinore që rrjedhin nga mozbatimi i këtij Kodi përcaktohen sipas rregullores për Komisionet Disiplinore të Urdhërit të Mjekëve.

Neni 64 - Njoftimi i Urdhërit të Mjekëve për shkeljet

Anëtarët e Urdhërit të Mjekëve kanë të drejtë dhe detyrë të njoftojnë organet përkatëse të Urdhërit të Mjekëve për të gjitha shkeljet e këtij Kodi.

Neni 65 - Shfuqizimi i Kodit të vjetër

Kodi Deontologjik i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 1994 dhe i botuar në vitin 1995 shfuqizohet.

Neni 66 - Hyrja në fuqi

Ky kod hyn në fuqi menjëherë.


Miratuar nga Këshilli Kombëtar me vendimin Nr. 10 date: 29.03.2002

PER KESHILLIN KOMBETAR TE U.M.SH.
PRESIDENTI
Dr. Din Abazaj d.v.


Cfare është sindromi Down?
Cfare është sindromi Down?

Syndromi Down quhet ndryshe trisomia 21. Është një situatë ku materiali gjenetik i shtuar shkakton nje vonesë në zhvillimin mendor dhe fizik. Ajo prek 1 ne 800 lindje.
Të dhënat fizike dhe problemet mjekësore të lidhura me syndromin Down ndryshojnë shumë nga fëmija në fëmijë. Ndërkohë që disa fëmijë kanë nevojë për një vëmendje mjekësore të vecantë të tjerët bëjnë një jetë të shëndetshme.
Megjithëse sindromi Down nuk mund të parandalohet ai mund të zbulohet para lindjes.
Read more...
Keshilla per fertilitetin dhe koncepsionin
Doni të bini shtatzane shpejt? Ju jeni në vendin e duhur. Këtu paraqitet cdo gjë që ju keni nevojë të dini për të rritur shancet tuaja për të rënë shtatzane në mënyrën më të shëndetshme.

Filloni të merini acid folik, që tani. Ai redukton mundësinë e lindjes së një femije me defekte të tubit neural (psh. anencefali apo spina bifida) në masën 50 deri 70% nëse ju filloni të merini të paktën 0.4 mg acid folik cdo ditë dy deri tre muaj përpara fillimit të përpjekjeve për shtatzani.

Mos u nxitoni të ngriheni dhe të shkoni direkt në tualet pasi bëni dashur. Rrini shtrirë të paktën për 5 minuta pas kryerjes së marrëdhënies me qëllim që spermatozoidët të kenë kohën e nevojshme për të arritur në takimin me qelizën vezë.

Bëni dashuri shpesh gjatë periudhës fertile. Nëse ju nuk kryeni marrëdhëni të paktën cdo 48 orë ju nuk mund të jeni të sigurt, që spermatozoidët do të presin qelizën vezë në tubat e fallopit.

Mos harro që lindja e një bebi është një lojë fati. Edhe pse ju bëni cdo gjë “në rregull”, ju keni vetëm 25 deri 30% shanc për shtatzani në cdo cikël.

Nëse ende nuk e keni lënë duhanin, beje tani. Studimet tregojnë se pirja e 10 cigareve në ditë redukton shancin e ngeljes shtatzanë me 50%.

Nëse jeni pirëse kafeje. Është koha që të pakësoni pirjen e saj. Kafeina mendohet se ngadalson rritjen e bebit duke pakësuar fluksin e gjakut në uterus. Më shumë se një studim tregon se konsumimi i ekzagjeruar i kafeinës (më shumë se 3 kafe në ditë) mund të kontribuojë në problemet e infertilitetit. Por jo të gjithë janë dakort në këtë pikë.

Jeni ju dhe burri juaj të ekspozuar ndaj substancavë të rrezikshme në vendin e punës? Ju mund të merrni në konsideratë të ndryshoni punën tuaj përpara se të filloni të krijoni familjen tuaj. Disa substanca mund të influencojnë cilësinë e spermës dhe zhvillimin e embrionit.

A keni bërë ndonjë kontroll prekoncepsional. Lini një takim me doktorin tuaj të rishikoni historinë tuaj mjekësore dhe të flisni mbi planin tuaj për të nisur përpjekjet për një shtatzani.
Nëe jeni duke marrë mjekime, mos harroni të pyesni mjekun tuaj nëse mund t’i vazhdoni këto medikamente gjatë kohës që përpiqeni për një shtatzani.

Jeni diabetike? Është e rëndësishme që të masni nivelin e sheqerit në gjak përpara se të filloni përpjekjet për shtatzani. Studimet kanë treguar që gratë me diabet insulino-vartës të kontrolluar keq, janë 4 deri 6 herë më shumë të predispozuara të lindin fëmijë me defektë në krahasim me ato jo diabetike.

Organet e riprodhimit femeror - Video
Read more...
Si te ekzaminoni veten per kancerin e gjirit - Video
Read more...
<< Start < Previous 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 Next > End >>

Results 121 - 130 of 208
Klinika gjinekologjike
Planifikimi familjar
REgjistrohu!
Testet e shtatzanise
Zhvillimi i fetusit
Infertiliteti
Per cdo pyetje nje pergjigje
Mjekesia.com
Advertisement